image Të pakënaqur me kushtet e punës, punëtorët e "Hidromorava" mbajnë grevë

Sociale

Të pakënaqur me kushtet e punës, punëtorët e “Hidromorava” mbajnë grevë

news image

Gjatë ditës së sotme disa punëtorë të Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava” në Gjilan kanë mbajtur një grevë e cila ka zgjatur një orë, me kërkesat të cilat ia kanë parashtruar menaxhmentit të kompanisë.

Kështu ka bërë të ditur kreu i Shoqatës Sindikale, Orhan Selmani, i cili tha se ishin të detyruar ta bëjnë këtë grevë, sepse janë ndjerë të injoruar pasi që kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të punës.

Ai ka përmendur disa prej kërkesave që i kanë e që ia kanë adresuar menaxhmentit të Kompanisë.

“Kemi kërkuar nivelizimin e pagave sipas vendeve të punës dhe kualifikimit. Po ashtu gjatë kohës së pandemisë edhe pse kemi punuar pa ndërprerje të procesit të punës kemi kërkuar stimulim (ndihmë) për të gjithë punëtorët, pasi qeveria gjegjësisht Ministria e Ekonomisë ka ndarë mjete për kompaninë tonë e nga të cilat mjete asgjë nuk i është ndarë punëtorëve, si dhe po ashtu gjatë muajit dhjetor 2021 prapë kemi kërkuar ndihmë nga kompania, rritje të pagave dhe ndihmë për fundvit për shkak të shtrenjtimit të shportës së konsumatorit”, ka thënë Selmani  në emër të udhëheqësisë së Shoqatës Sindikale.

Përndryshe, ai përmendi edhe pakënaqësitë rreth hapjes se konkursit për pranimin e punëtorëve te rinj edhe pse siç thotë ai “jemi te bindur se ky numër i punëtorëve të kërkuar ka mundur dhe mundet te zëvendësohet, në disa vende me punëtorë të brendshëm të kompanisë”.

Selmani shtoi se kërkesat e tilla nuk kanë gjetur mirëkuptim andaj do të vazhdojnë me grevë edhe në ditët në vijim.

/GazetaSinjali/