image Të martën Kosovën e pret sfida e Interpolit

Kosovë

Skepticizëm/ Të martën Kosovën e pret sfida e Interpolit

news image

Kosova të martën pritët të sfidohet sërish për anëtarësim në organizatën policore ndërkombëtare, Interpol. Por, përkundër aplikimit, njohësit e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen skeptik, se vendi ynë mund të pranohet edhe kësaj radhe në këtë organizatë multilaterale policore.

Edhe pse vitin e kaluar Kosova dështoi, dhe disa vite më parë nuk aplikoi, përgatitjet lobuese për këtë vit po konsiderohen që janë bërë pak dhe gabueshëm. Ndërkohë, nga dikasteri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk dhanë përgjigje se cilat janë pritjet e Kosovës për këtë vit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se momentet më të duhura për lobim, Kosovën e gjetën në zgjedhje të parakohshme. Kjo sipas tij, ka humbur interesimin e institucioneve që të lobojnë në mënyrën e duhur dhe vazhdimësi.

Nga ana tjetër, sipas Ibishit, fushata agresive e Serbisë dhe vendi ku do të mbahet asambleja e Interpolit në Amerikën Jugore, nuk krijojnë një ambient shpresëdhënës për Kosovën.

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Artan Murati, thotë për KP, se Kosova duhej të ishte më e kujdesshme në aplikim, pasi sipas tij, një refuzim potencial do të ndikonte negativisht me raportet me shtetet që janë anëtare dhe votojnë kundër.


Në ditët kur po afrohet asambleja e Interpolit në Kili të Amerikës Jugore, ka marrë hovin fushata lobuese e Serbisë kundër Kosovës. Ministri i tyre i brendshëm, por dhe ai i Punëve të Jashtme, thanë se do të bëjnë luftë të ashpër që Kosova mos të jetë pjesë e kësaj organizate policore.

Ndryshe, për t’u pranuar Kosovës i duhet vota e dy të tretave të shteteve anëtare, apo nga 194 vende, duhet të sigurohen mbi 120 vota. 

/Gazeta Sinjali/