Fshatrat Tërrn, Bablak dhe Lubofc të Komunës së Ferizajt janë lënë krejtësisht pas dore sa i përket transportit. Në fshatrat e tjera të kësaj komune, autobusët kanë rreth 8 linja shkuarje-ardhje, kurse në këto tri fshatra të cilët e kanë një transport të përbashkët janë gjithsej 4 linja.
Madje, këto linja janë vetëm gjatë kohës kur nxënësit kanë mësim dhe udhëtojnë drejt qytetit.
Kryetari i fshatit Tërrn, Nazmi Musliu, për Gazetën Sinjali ka thënë se banorët po shpresojnë në përmirësimin e gjendjes.
“Ne po shpresojmë se kur të rregullohet rruga, projekt ky që tashmë ka filluar, do të bëhet një zgjidhje siç na kanë premtuar”, tha Musliu.
Kurse nga kompania që kryen transportin në këto fshatra, kanë thënë se nuk kanë mundësi të shpeshtojnë linjat, pasi ka pak udhëtarë dhe kompania nuk mund t’ia dalë vetëm me pagesat e tyre.
Ndërkaq, banorët e kanë shfaqur këtë problem disa herë, duke thënë se kanë nevojë që numri i linjave të shpeshtohet, pasi që këto fshatra janë më së largu me qytetin e Ferizajt.
Tri fshatrat kanë gjithashtu një shkollë të përbashkët dhe problem tjetër është edhe transporti i nxënësve të nivelit fillor nga dy fshatra për në shkollën e fshatit Tërrn.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Afrim Llabjani, ka thënë se është shpallur tender për këtë çështje, por nuk është paraqitur asnjë ofertues.
“Për këtë çështje është shpallur tender për kompanitë turistike të marrin përgjegjësi bartjen e këtyre nxënësve, por asnjë kompani nuk ka shpallur gatishmëri”, u shpreh Llabjani.
Se janë të lënë pas dore e kanë thënë edhe vetë banorët e këtyre fshatrave në protestat e mbajtura më herët rreth asfaltimit të rrugës, e cila ende është e papërfunduar edhe pse punimet janë duke vazhduar./Gazeta Sinjali/