image Të infektuarit me koronavirus në këtë komunë, përveç parave, do të marrin edhe pako mjekësore falas

Shëndetësi

Të infektuarit me koronavirus në këtë komunë, përveç parave, do të marrin edhe pako mjekësore falas

news image

Shtabi Emergjent i Komunës së Mitrovicës ka mbajtur sot mbledhje, gjatë së cilës është bërë vlerësimi i gjendjes aktuale me koronavirus në këtë komunë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të komunës, në këtë takim, Shtabi Emergjent mori vendim që përveç ndihmesës me mjete financiare në vlerë prej 50 euro për personat e infektuar me COVID-19, të njëjtit do të ndihmohen edhe me pako mjekësore.

“Gjithashtu gjatë këtij takimi u trajtua edhe çështja e ndihmës së personave që janë infektuar nga ky virus, ku përveç ndihmesës me mjete financiare në vlerë prej 50 euro, do të mbështeten edhe me pako mjekësore, në mënyrë që sado pak t’u lehtësohen shpenzimet që ata kanë pasur në këtë periudhë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu, u bë e ditur se deri më tani në Mitrovicë janë gjithsej 509 raste aktive me COVID-19.

U paralajmërua po ashtu se gjatë ditëve në vijim do të ketë kontrolle më të rrepta në zbatimin e masave anti-COVID.

“Me këtë rast, Inspekcioni i Komunës, Policia e Stacionit Jugor dhe Inspektorët e AVUK-ut nga nesër paralajmërojnë për kontrolle më të shtuara në hapësira të ndryshme për përdorimin e maskës nga qytetarët, te të gjitha lokalet afariste për respektim të distancës, si dhe nga ora 19:00 për respektimin e orës policore dhe në rast se evidentohen shkelje apo mosrespektim të vendimeve në fuqi çdo person do të dënohet në bazë të ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Komunës./Gazeta Sinjali/