Të prekurit nga koronavirusi kanë filluar të këndellen, ngjashëm si nga gripi sezonal, bëjnë të ditur shkencëtarët në Australi.
Kjo ishte një gjetje e një hulumtimi të shkencëtarëve australianë të botuar në revistën shkencore “Nature Medicine”, i cili tregon mënyrën se si sistemi i imunitetit po e lufton virusin COVID-19.
Sipas hulumtimit të tyre, aktivizimi i luftimit të virusit duke i përcaktuar qelizat imunitare, po e hap rrugën e gjetjes së vaksinës kundër tij.
“Zbulimi është i rëndësishëm, sepse është hera e parë që ne po e kuptojmë përnjëmend se si e lufton sistemi ynë i imunitetit koronavirusin”, ka thënë bashkautorja e studimit, profesoresha Katherine Kedzierska.
Për herë të parë, hulumtimi ka identifikuar katër lloje të qelizave imunitare që kanë luftuar Covid-19.
Ato janë vërejtur duke gjurmuar një paciente, e cila kishte simptoma mesatare të virusit dhe që më parë nuk kishte probleme shëndetësore.
47-vjeçarja nga Wuhani i Kinës ishte lajmëruar në një spital në Australi. Ajo kishte marrë veten brenda katërmbëdhjetë ditësh.
“Tri ditë para se gruaja të fillonte të përmirësohej, qelizat specifike ishin vërejtur në qarkullimin e saj të gjakut. Në mesin e pacientëve me grip, këto qeliza shfaqen gjatë po të njëjtës kohë para rimarrjes së vetes”, thuhet në hulumtim.
Profesoresha Kedzierska ka thënë se ekipi i saj kishte ekzaminuar “gjithë reagimin e imunitetit” te kjo paciente.
“Ishim të mahnitur me rezultatet dhe me faktin se ne mund të kapnim aktualisht momentin e ngjalljes së qelizave imunitare në pacientin e infektuar para përmirësimit”, ka deklaruar ajo.
Të identifikuarit se kur qelizat e imunitetit mund të aktivizohen mund të ndihmojë në “parashikimin e kursit të virusit”.
Ministria e Shëndetësisë në Australi ka deklaruar se arritja shkencore ndihmon edhe “përshpejtimin” e gjetjes së vaksinës dhe trajtimeve të mundshme për pacientët e infektuar.
Sipas Autoritetet kanë konfirmuar se më shumë se 185 mijë raste me koronavirus janë konfirmuar deri më tani në botë. Teksa numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 7 mijë. Në anën tjetër, më se 80 mijë janë shëruar. /Gazeta Sinjali/