Pas motit të ligë dhe erërave të fuqishme që kanë kapluar kryesisht rajonin e Dukagjinit këto ditë, komuna e Istogut ka pësuar më së shumti dëme. Por për fat të mirë, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur viktima në njerëz, raporton Gazeta Sinjali.
Për disa ditë me radhë, shumë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e rrëzimit të shtyllave elektrike. Madje, si pasojë e kësaj gjendje në komunën e Dragashit, atë të Kamenicës dhe në disa shkolla të Istogut është ndërprerë procesi mësimor.
Por, se sa i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës dëmet e shkaktuara në Istog, kryetari i kësaj komune thotë se nuk dihet ende sepse ekipet komunale dhe qeveritare janë akoma në teren për të vlerësuar dhe regjistruar dëmet e shkaktuara.
“Ekipet nuk e kanë kryer punën finale dhe nuk dihet ende shkalla e dëmeve. Ajo që dihet është se dëmet janë të mëdha. Neve na ka vizituar edhe qeveria dhe ekipet e përbashkëta komunale dhe ato qeveritare, sidomos ekipet e Ministrisë së Arsimit dhe Bujqësisë janë në teren dhe kanë punuar sot dhe dje. Mendoj që deri të hënën do t’i dërgojmë në qeveri dhe do t’i kemi parashikimet e sakta. Deri tani kemi shifra preleminare, por nuk i kemi të sakta”, ka thënë Rugova për Gazeta Sinjali.
Ndërsa sa i përket orëve të humbura mësimore, kryetari Rugova tha se do të kompensohen të shtunave.
“Shkollat në komunën e Istogut e kanë ndërprerë mësimin vetëm për dy ditë dhe të gjitha orët do të zëvendësohen ditëve të shtuna. Ndërsa mësimi fillon të hënën në të gjitha shkollat, përveç shkollës së Kaliqanit e cila ka pësuar më shumë dëme dhe derisa të rinovohet objekti, nxënësit e asaj shkolle do të mbajnë mësim në ndonjë nga shkollat më të afërta”, ka thënë ndër të tjera ai.
Rugova në fund shtoi se deri tani nuk është raportuar për asnjë viktimë dhe se nuk është paraqitur ndonjë kërkesë për ndihmë nga ana e qytetarëve.
“Mund të ketë pasur ndonjë rast me lëndime të lehta trupore, por që nuk i kanë raportuar”, ka thënë ai.
Moti i ligë që ka mbretëruar mbi vendin tonë këto ditë ka shkaktuara dëme materiale edhe në Komunën e Klinës dhe në disa pjesë të Pejës.
Për dëmet e shkaktuara në rajonin e Dukagjinit, Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe Gamend Muhaxherin, kryetar i Komunës së Pejës dhe Zenun Elezaj, kryetar i Komunës së Klinës, por asnjëri nga ta nuk ka qenë i qasshëm. /Gazeta Sinjali/