image Të gjithë avokatët nga e hëna do t'i bojkotojnë seancat gjyqësore

Drejtësi

Të gjithë avokatët nga e hëna do t’i bojkotojnë seancat gjyqësore

news image

Që nga e hëna, të gjithë avokatët e Kosovës do t’i bojkotojnë seancat në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Speciale, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, ka bërë të ditur se arsyet për këtë bojkotim janë problemet që avokatët kanë në qasjen e objekteve të këtyre dy institucioneve.

“Që nga shtatori i vitit 2020, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë disa vendime të cilat paraqesin pengesa për avokatët që të kenë qasje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, duke pasur parasysh që avokatëve iu ndalen telefonat, ata janë të detyruar që të hyjnë nëpër skanerë, të presin me palë e të tjera”, tha ai në Klan Kosova.

Po ashtu, sa i përket kësaj, Ejupi ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete për arsyen e problemeve që i kanë avokatët.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete lidhur me këto probleme dhe kemi qenë të interesuar që të ulemi dhe të diskutojmë për të gjitha këto, Pastaj kemi marrë vendim që të bojkotojmë qasjen në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, mirëpo lidhur edhe me këtë vendim nuk kanë reflektuar dhe kemi kuptuar që Prokuroria  i ka autorizuar policët që të kryejnë veprime hetimore. Meqë nuk kanë reflektuar, ne jemi detyruar që të zgjerojmë bojkotin edhe për Prokurorinë Speciale, duke pasur parasysh që edhe aty të gjithë avokatët hasin në këto probleme”, tha ndër të tjera ai.

Ai bëri të ditur se vendimi i Këshillit Drejtues të OAK-ut është në fuqi nga data 8 mars e këtij viti duke filluar nga ora 08:00./Gazeta Sinjali/