Qeveria e Kosovës e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku janë marrë disa vendime.
Në mesin e vendimeve që morën miratimin e anëtarëve të ekzekutivit, ishte edhe Projektligji për Inspektoratin e Punës.
Çështjet kryesore të trajtuara në Projektligj janë: Mandati i Inspektoratit të Punës; Strukturën organizative; statusin e të punësuarve duke përfshirë kushtet dhe kriteret profesionale; detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit Ekzekutiv; kompetencat e inspektorëve të punës; procedurën e inspektimeve duke përfshirën dhe llojet e inspektimeve; parandalimin e konfliktit të interesit.
Ndër tjerash, Qeveria ia ka vazhduar mandatin edhe për 4 vjet kryetares së Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Nesrin Lushtës.
Komunikata e plotë, pa ndërhyrje e Zyrës së Kryeministrit me të gjitha vendimet që u morën sot:
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 28-ën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria ka miratuar vendimin për publikim të akteve nënligjore të Qeverisë dhe ministrive në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Me këtë veprim vlerësohet se do të rritet transparenca dhe siguria juridike, përkatësisht parashikueshmëria e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore. Sipas vendimit Rregulloret dhe udhëzimet administrative të Qeverisë dhe ministrive që do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës do të hyjnë në fuqi shtatë (7) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse me vetë aktin e tillë nuk përcaktohet ndryshe, ndërsa Vendimet dhe urdhëresat hyjnë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, përveç nëse me vetë aktin e tillë nuk përcaktohet ndryshe.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria është ndryshuar dhe plotësuar Programi Legjislativ për vitin 2020. Në Programin Legjislativ të vitit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshihen “Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, Objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”; “Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”; dhe “Projektligji për Ratifikimin e Kontratës Financiare Ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza”.
Ka marr miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomik Social. Plotësim ndryshimet në këtë ligj synojnë që të vendosin rregullim më të mirë ligjor dhe të plotësojnë zbrazëtirat juridike që janë evidentuar gjatë zbatimit të këtij ligji. Në plotësim ndryshime janë adresuar çështjet e inkorporimit të dispozitave të reja të nevojshme; dispozitat që kanë hasur në vështirësi në zbatim; harmonizimi i ligjit me ligjet tjera të fushës; dhe inkorporimi i rekomandimeve të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale gjatë monitorimit të zbatimit të këtij Ligji. Në mënyrë specifike plotësim ndryshimet kanë adresuar çështjet e përfaqësimit në Këshillin Ekonomik Social; financimin e Këshillit; sekretariatin e Këshillit; dhe zëvendësit e anëtarëve të Këshillit.
Edhe Projektligji për inspektoratin e punës është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Projektligji përkufizon Inspektoratin e Punës, si organi i pavarur dhe ekzekutiv i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me mandat që të mbikëqyrë dispozitat ligjore nga marrëdhënia e punës. Çështjet kryesore të trajtuara në Projektligj janë: Mandati i Inspektoratit të Punës; Strukturën organizative; Statusin e të punësuarve duke përfshirë kushtet dhe kriteret profesionale; Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit Ekzekutiv; Kompetencat e inspektorëve të punës; Procedurën e inspektimeve duke përfshirën dhe llojet e inspektimeve; Parandalimin e konfliktit të interesit; Të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësit gjatë inspektimit; Hetimet e aksidenteve në punë; Gjobat; Procedurat administrative dhe ato kundërvajtjes; Buxhetin e Inspektoratit të Punës; Ndërlidhjen ndërmjet Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë.
Me një vendim të miratuar sot në mbledhje, Qeveria ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 40,000,00 (katër dhjetë mijë) euro, për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2020 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë, respektivisht në buxhetin e Sekretariatit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Republika e Kosovës bën pjesë në grupin prej 4 % të shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore, siç është përcaktuar në Takimin e Tryezës Rajonale të Paktit të Stabilitetit për Evropën Jug Lindore, në Bukuresht.
Katër rregullore që do të rregullojnë mënyrën, funksionimin e ndërmarrjeve sociale në Republikën e Kosovës kanë marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme:
Rregullorja për procedurat e regjistrimit të ndërmarrjeve sociale, e cila përcakton kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet juridike për t’u regjistruar në ndonjërën nga format ligjore për të ushtruar veprimtarinë si ndërmarrje sociale;
Rregullorja për procedurat e raportimit për arritjen e objektivave sociale dhe raportet financiare e cila do të rregullojë kriteret dhe përmbajtjen e raportimit të ndërmarrjeve sociale; Rregullorja për procedurën e marrjes, refuzimit dhe humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale si dhe përbërjen e komisionit që do të përcaktojnë kriteret që duhet të plotësojnë personat juridik për marrjen statusit të Ndërmarrjes Sociale si dhe organizimin dhe funksionimin e komisioneve të cilat do të vendosin për dhënien, refuzimin e statusit si dhe procedurat e ankimimit; Rregullorja për strukturat përgjegjëse të monitorimit, kontrollit dhe procedurat për gjoba dhe ankesa të ndërmarrjeve sociale.
Zonjës Nesrin Lushta, gjykatëse e Gjykatës Supreme të Kosovës, i është vazhduar mandati i kryetares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Mandati i kryetares është katër (4) vjet dhe kryen detyrat dhe përgjegjësit e përcaktuara me Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital. /Gazeta Sinjali