Papërgjegjësia institucionale privon qytetarët nga të drejtat e garantuara me Kushtetutë.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit për heqjen e kushtëzimit të regjistrimit të automjetit dhe ndërrimit te pronarit me shlyerjen e gjobave të trafikut, janë shpërfillur nga të gjitha autoritetet përgjegjëse, tek të cilat është drejtuar.
Sipas përgjigjes së Avokatit të Popullit, raporti është injoruar në tërësi, që prej kryeparlamentarit, Kadri Veseli, kryetares së Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha- Shala, kryetares së Komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu e deri te kryeministri Ramush Haradinaj e ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
“Në rastin konkret, Avokati i Popullit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga asnjë autoritet përgjegjës dhe se rekomandimet e Avokatit të Popullit, tani për tani, kanë mbetur pa përgjigje, përkatësisht kanë mbetur të pazbatuara”, ka theksuar për Sinjalin, Avokati i Popullit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 132 paragrafi 3 “çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj” Ndërsa sipas ligjit për Avokatin e Popullit, neni 28 “autoritetet të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar rekomandim, kërkesë ose propozim për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, përfshirë edhe masat disiplinore, duhet të përgjigjen brenda afatit tridhjetë (30) ditor. Përgjigjja duhet të përmbajë arsyet me shkrim për veprimet e ndërmarra lidhur me çështjen në fjalë“.
Sinjali ka provuar t`i kontaktojë të gjithë të apostrofuarit, tek të cilët, është drejtuar ky rekomandim dhe që me injorimin e tyre, kanë bërë shkelje kushtetuese e ligjore, në bazë të kornizës legjislative dhe kushtetuese të Kosovës.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, sapo e ka dëgjuar pyetjen, e ka mbyllur telefonin dhe më nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.
Zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi, ashtu sikurse Shkëlzen Dragaj, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, prej të mërkurës nuk kanë kthyer përgjigje, ndonëse kanë kërkuar që pyetjet tu drejtohen me shkrim.
E kontaktuar nga Sinjali, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se i kishte kthyer përgjigje Avokatit, por këtë pohim nuk ka arritur ta vërtetoj, kur i është kërkuar nga Sinjali ta ofrojë dëshminë e dërgimit të letrës.
“Periudha kur ju kam shkru atyre, sipas databazës së tyre është shtator – tetor 2018. Problemi është që edhe stafi i Kuvendit gjegjësisht Komisionit është në pushim dhe datën e saktë nuk po e di. Nuk e di pse Avokati po thotë ashtu kur këta që janë zyrtarë ligjorë më duket ose këshilltarë që janë aty i kanë thënë koordinatorit (të Komisionit) që i kemi marr përgjigjet por problemi është që këta letrat nuk nuk duhet me i dërgu në emër të përvetshëm, por t`ja drejtojnë komisionit ose institucioneve”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar poashtu se kjo çështje bie në fushëveprimtarinë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe jo në përgjegjësi të komisionit që drejton, i cili sipas saj, mbulon vetëm projektligjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.
E anëtarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik Sala Berisha- Shala është ankuar për mungesë stafi.
“Nuk janë injoru por janë procedura ato. Ju e dini si ka shku kjo legjislaturë. Deputetët nuk kanë qenë në gjendje me i miratu ligjet që kanë qenë tepër esenciale në mungesë të kuorumit për shkak të ngërçeve që i kanë kriju në kuvend. Komisioni qe e kam udhëheq i mbulon 25 fusha ….është e pamundshme me i mbulu me tre veta staf në komision, plus nuk janë ekspertë të caktuar të fushës, njëri është jurist, tjetri ingjinier i makinerisë. Është e pamundshme me i mbulu krejt”, ka thënë Sala Berisha Shala.
Ajo ka shtuar se kushtëzimi për regjistrim të automjeteve me pagesë të gjobave është i papranushëm.
“Si Komision dhe deputetë të PDK-së e kemi inicu me plotësu dhe ndryshu ligjin për automjetet sepse nuk është vetëm ajo dispozitë e pa drejtë por edhe plotë dispozita tjera si me rastin e shitblerjes prej pronari në pronarin tjetër që bëhen shpenzime në dëm të xhepit të qytetarëve”, ka theksuar Berisha-Shala.
Por, neglizhenca institucionale në adresimin e kësaj çështjeje ka bërë që ndryshimi i ligjit për automjete të mbetet vetëm si tentativë. Kjo pasi me shpërbërjen e legjislaturës aktuale, ky projektligj, ashtu si dhe projektligjet tjera në procedurë do të kthehen në pikën zero.
Më herët, Sinjali ka raportuar se si qytetarët e Kosovës po kushtëzohen për regjistrimin e veturave me pagesën e gjobave në trafik.
Madje, ata po detyrohen që fletëpagesat e tyre t`i dorëzojnë në komunat ku janë gjobitur për shkak të mosfunksionimit të sistemit të integruar dhe unik të Policisë. /Sinjali/