Dy të dënuar me vdekje në Japoni kanë paditur Qeverinë për mos informim për kohën e ekzekutimit të tyre.
Sipas të burgosurve ata po njoftohen vetëm disa orë përpara se të ekzekutoheshin, raporton The Guardian, përcjell Gazeta Sinjali.
Të burgosurit pretendojnë se njoftimi i shkurtër që u jepet të dënuarve me vdekje para se të çohen në trekëmbësh është i paligjshëm pasi nuk u jep kohë të mjaftueshme burrave dhe grave të dënuara për të kundërshtuar.
“Të burgosurit e dënuar me vdekje jetojnë çdo mëngjes me frikë se ajo ditë do të jetë e fundit për ta. Është jashtëzakonisht çnjerëzore,” tha avokati i tyre, Yutaka Ueda.
Kjo praktikë është kritikuar prej kohësh nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për ankthin mendor që shkakton.
Japonia dhe ShBA-ja janë të vetmet demokraci të industrializuara që ende kryejnë ekzekutime.
Padija e të dy të burgosurve është depozituar në Gjykatën e Osakës dhe brenda saj përfshihet dhe një kërkesë për dëmshpërblim që arrin deri në 200 mijë dollarë.