Taylor Swift ka paguar mbi 160 mijë dollarë për të mbuluar kostot e orëve shtesë të policisë gjatë dasmës së saj me Travis Kelce, si pjesë e lejes së kërkuar nga qyteti i New Yorkut për organizimin e eventit në arenën Madison Square Garden.
Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, e konfirmoi këtë gjatë një konference për shtyp të premten, duke bërë të ditur se këngëtarja kishte paguar tarifën e lejes, e cila përfshinte edhe angazhimin shtesë të forcave të rendit për mbarëvajtjen e ceremonisë.
I pyetur nëse Swift do t’ia rimbursonte qytetit shpenzimet për orët shtesë të policisë, Mamdani u përgjigj: “Taylor Swift do të paguajë… në fakt, i ka paguar tashmë kostot e lejes, e cila ishte mbi 160,000 dollarë. Kjo shumë përfshinte edhe reagimin e autoriteteve për ngjarjen. Leja u miratua vetëm disa ditë përpara zhvillimit të eventit”.
Lejet e tilla kërkohen kur organizimet private në shkallë të gjerë ndikojnë në hapësirat publike ose kërkojnë shërbime shtesë nga autoritetet, si mbyllja e rrugëve, menaxhimi i trafikut apo angazhimi i numrit më të madh të efektivëve policorë.
Sipas praktikës së qytetit, organizatorët e eventeve të mëdha paguajnë tarifën e lejes, e cila mbulon shpenzimet që tejkalojnë operacionet e zakonshme të administratës.
Kostoja e përgjithshme e dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce është vlerësuar në dhjetëra miliona dollarë, ndërsa pagesa prej mbi 160 mijë dollarësh për lejen dhe shërbimet policore përbën vetëm një pjesë të vogël të shpenzimeve totale.
Dasma e çiftit u zhvillua më 2 dhe 3 korrik në Madison Square Garden, në Midtown Manhattan, dhe u shoqërua me masa të rrepta sigurie dhe privatësie. Sipas raportimeve, në ceremoni morën pjesë mbi 1,000 të ftuar, ndërsa për tri ditë rreth arenës u vendosën kufizime të shumta në qarkullim dhe u angazhua një numër i madh i pjesëtarëve të policisë.
Në ceremoninë luksoze performuan emra të njohur të muzikës, përfshirë Paul McCartney, Stevie Nicks, Ciara dhe Fergie. Sipas burimeve, Madison Square Garden ishte transformuar në një kopsht madhështor për këtë ngjarje.
Për shkak të masave të larta të privatësisë, të ftuarve nuk iu lejua përdorimi i telefonave celularë apo fotografimi gjatë ceremonisë, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u detyruan të nënshkruanin marrëveshje konfidencialiteti (NDA) përpara hyrjes në event.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!