image Tarifat e reja të rrymës - Si ta dini sa shpenzoni dhe a prekeni nga shtrenjtimi?

Financa

Tarifat e reja të rrymës – Si ta dini sa shpenzoni dhe a prekeni nga shtrenjtimi?

news image

Energjia elektrike do të shtrenjtohet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh energji. Nëse aprovohet propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti. Por, si ta dini se sa energji shpenzoni ju?

Për ta kuptuar se sa shpenzoni energji, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar një tabelë me faturat mujore që paguajnë konsumatorët, varësisht nga energjia që shpenzojnë.

Kategoria e parë janë konsumatorët që shpenzojnë deri në 300 kWh energji elektrike. Fatura mujore për këta konsumatorë është rreth 19 euro.

Në kategorinë e dytë janë konsumatorët që shpenzojnë deri në 450 kWh energji. Ata paguajnë rreth 28 euro në muaj për energjinë e shpenzuar.

Te kategoria e tretë hyjnë konsumatorët që harxhojnë deri në 600 kWh energji, e të cilëve për një muaj u vie fatura rreth 36 euro.

Kategoria e katërt përfshinë konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh. Deri tash këta konsumatorë kanë paguar rreth 47 euro në muaj, por me propozimin e ZRRE-së dhe pas subvencionimit të Qeverisë, do të paguajnë rreth 60 euro.

Në kategorinë e pestë hyjnë konsumatorët që shpenzojnë 1 mijë kWh energji elektrike. Fatura mujore për ta deri tash ka qenë rreth 59 euro, kurse me propozimin e ZRRE-së i bie të paguajnë rreth 83 euro.

Si ndahen kategoritë e konsumatorëve?

Kategoria A: Konsumatori që shpenzon 300 kWh/muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje 4 anëtarëshe. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, sipas ZRRE-së.

Kategoria B: Konsumatori me konsum 450 kWh/muaj – paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit. Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar në vitin 2021 për konsumatorët e amvisërive që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh/muaj. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit.

Kategoria C: Konsumatori me konsum 600 kWh/muaj – paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës.

Kategoria D: Konsumatori me konsum 800 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar.

Kategoria E: Konsumatori me konsum 1000 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dje ka njoftuar se do t’i ndajë 75 milionë euro si ndihmë për qytetarët dhe bizneset për t’i përballuar çmimet e reja të energjisë elektrike.

/GazetaSinjali/