Talebanët kërcënuan disa të rinj afganë vetëm sepse ata po vishnin xhinse, thanë të rinjët, përderisa njëri prej tyre shkroi edhe në Facebook duke treguar se ishin duke ecur kur një grup talebanësh i ndalën duke i akuzuar se nuk e respektonin Islamin.
Dy prej të rinjëve kanë arritur të largoheshin me vrap, përderisa të tjerët u rrahën dhe u kërcënuan me armë.
Ky incident ka shqetësuar qytetarët për rikthimin e situatës së njejtë me atë të viteve 90’, kur ishte normale të rriheshin e ndonjëher edhe të vriteshin meshkujt afganë të cilët kapeshin pa veshje fetare.
Një drejtues i talebanëve ka bërë të ditur se ata ende janë duke diskutuar “kodin e ri të veshjes” për meshkujt.
Gjatë regjimit të mëparshëm talebanët njiheshin për ekstremizmin fetar dhe ndëshkimet ekzemplare. Por sesa kanë ndryshuar vërtet këtë radhë, ashtu siç pretendojnë, kjo mbetet për t`u parë, raporton TCH.
Një student mjekësie i lindur në Afganistan, që sot është shtetas britanik, rrëfeu eksperiencën e tmerrshme në aeroportin e Kabulit, kur në momentin që i kishin parë pasaportën angleze, talebanët i kishin thënë: “Do të te ekzekutonim këtu tani, në vend, por na sheh bota dhe jemi nën presion nga ndërkombëtarët.”
Ndërkaq mediat britanike kanë transmetuar pamjet e fundit të një komediani afgan në Tik Tok i cili ka vazhduar t`i vërë në lojë militantët edhe pasi ata e nxorën zvarrë nga shtëpia dhe pak më vonë, e ekzekutuan me pushkatim. /GazetaSinjali/