image Talat Xhaferi uron për vitin e ri: Ta ecim bashkë rrugën e Bashkimit Europian

Rajon

Talat Xhaferi uron për vitin e ri: Ta ecim bashkë rrugën e Bashkimit Europian

news image

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili në janar pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në qeverinë teknike në Shkup ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2024 përmes një videomesazhi.

Ai tha se këtë vit pret që të zbatojnë zgjedhje të suksesshme, të realizojnë rritje të ekonomisë dhe të ecin bashkë rrugën e Bashkimit Evropian.

“Pyetemi nëse kemi punuar mjaftueshëm, nëse kemi kontribuar për një shoqëri më të mirë, nëse kemi kushtuar kohë të mjaftueshme për më të dashurit, nëse kemi bërë së paku një vepër të mirë pa pritur asgjë si shpërblim, nëse me vendosmëri i kemi menaxhuar sfidat dhe ke mi nxjerrë mësim nga to. Nëse përgjigja është afirmative, atëherë viti ka qenë i suksesshëm”, tha ai.

“Të dashur qytetarë, le të jetë Vitit i Ri 2024 një libër faqet e të cilit do të shënohen me punë të mira, me vepra pozitive, me respekt dhe mirëkuptim ndër njerëz. Le të jetë viti në të cilin do e ndjejmë dhe do e ndajmë ngrohtësinë e solidaritetit, do të besojmë dhe reflektojmë shpresë”, shtoi Xhaferi.

“Në vigjilje të Vitit të Ri 2024, Ju uroj shëndet të mirë dhe përparim, për Ju dhe për më të dashurit tuaj, kohë cilësore të kaluar me familjet tuaja. Paqe, qetësi dhe mirëqenie në shtëpitë Tuaja dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Le të jetë gëzuar dhe me bereqet”, tha Xhaferi në urimin e fundvitit.

/GazetaSinjali/