image Takimi Sullivan-Kurti: SHBA mbështet dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi

Politikë

Takimi Sullivan-Kurti: SHBA mbështet dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi

news image

Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur ditën e martë në Uashington nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

Kryeministri Kurti e falënderoi Sullivanin për kontributin dhe mbështetjen për Kosovën, dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Sullivan shprehu mbështetjen e SHBA-së mbi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura.

Duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve, shkruan REL.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi pushtimin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë.

/GazetaSinjali/