image Takimi ndërmjet Kurtit e Konjufcës me Kosnettin e Grenellin, u morën vesh për diçka

Kosovë

Detajet/ Takimi ndërmjet Kurtit e Konjufcës me Kosnettin e Grenellin, u morën vesh për diçka

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me zyrtarin tjetër të kësaj partie, Glauk Konjufcën sot kanë shkuar në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për t’u takuar me emisarin e Donald Trumpit, Richard Grenell, si dhe ambasadorin Philip Kosnett.

VV njofton se Grenell fillimisht e ka uruar Kurtin për rezultatin në zgjedhjet e 6 tetorit, duke diskutuar më pas për mundësinë e një marrëveshjeje finale me Serbinë dhe është arritur pajtim që qeveria të formohet shpejt, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kurti ka falenderuar zyrtarët amerikanë për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, teksa sipas VV-së, ai u ka thënë atyre se afati kohor nuk është aspekti më i rëndësishëm i dialogut Kosovë-Serbi.

“Z. Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”, thuhet në njoftimin e VV-së.

VV thotë se Kurti e Konjufca në fund u pajtuan me Kosnettin e Grenellin që sa më shpejtë të krijohet qeveria. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10156211154067000