Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (House Democracy Partnership-HDP) të Kongresit të ShBA-së.
Sipas njoftimit nga zyra e Kuvendit, në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.
Konjufca i ka njoftuar në lidhje me efikasitetin e punës së Kuvendit.
“Kryetari i Kuvendit ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Konjufca dhe delegacioni i HDP-së janë pajtuar për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës.