image Tahiri: Shkarkimi i Hotit vendim idhnak, pres edhe shkarkimin e Qunit

Politikë

Tahiri: Shkarkimi i Hotit vendim idhnak, pres edhe shkarkimin e Qunit

news image

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurtin mbrëmë u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partneri i saj qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në orët e vona e ka shkarkuar zëvendëskryeministrin e parë në detyrë, Avdullah Hoti.

Sipas njohësve, në këtë situatë politike në vend LDK si partner i koalicionit qeverisës me Lëvizjes Vetëvendosje ose duhet të dalë krejtësisht nga qeveria ose të propozojë emrat e ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëvendëskryeministrit të shkarkuar me qëllim që ta ketë votën e saj në qeverinë në detyrë.

Analisti politik, Ramush Tahiri, vendimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Hoti i cili vjen nga radhët e LDK-së, e ka quajtur idhnak. Ai thotë që në mënyrë që të përfundojë loja e Kurtit për heqjen e ministrave të LDK-së, kjo parti duhet të propozojë emra të rinj për postet e shkarkuara nga kryeministri tashmë në detyrë.

“Tash jemi në një situatë të re tash qeveria Kurti është në dorëheqje, po shoh që po merr vendime idhnake, sepse e ka shkarkuar edhe zëvendëskryeministrin. Ky është qëndrim idhnak i Albin Kurtit me të cilin është dalluar edhe më herët dhe që unë kam menduar që kur të kalojë në pozitë ose në pushtet do ta heqë këtë ndikim prej platformës ideologjike opozitare. Formalisht ka të drejtë, por moralisht edhe praktikisht nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, sepse është qeveri në dorëheqje, që duhet të punojë deri në zgjedhjet e reja dhe zgjedhjen e qeverisë së re. Po të isha në vendin e LDK-së, do të kisha propozuar ministër tjetër dhe zëvendëskryeministër tjetër në mënyrë që të përfundojë loja e Albin Kurtit me heqjen e ministrave dhe të përfundojë ajo që kjo të jetë qeveri vetëm e Vetëvendosjes pasi i ka vetëm 29 deputetë”, tha Tahiri.

Sipas tij, Qeveria tashmë në detyrë duhet të marrë vetëm vendime urgjente dhe të nevojshme dhe jo të merret me shkarkimin e ministrave të LDK-së.

“Parlamenti ia ka marrë votëbesimin Qeverisë Kurti dhe Qeveria Kurti duhet t’i kryejë vetëm punët urgjente dhe të nevojshme, por jo punë të tjera të mëdha dhe nuk duhet të merret me shkarkime të ministrave, sepse ky është autoritarizëm i Albin Kurtit i cili nuk ka legjitimitet dhe i cili nuk është i drejtë. LDK i ka dy rrugë: ose të dalë krejtësisht prej qeverisë dhe ta lë vetëm VV në qeveri dhe pakicat, ose sa herë që Albin Kurti shkarkon dikë, këta ta propozojnë një emër të ri dhe në mënyrë që LDK t’i ketë votat e veta në Qeverinë Kurti. Qeveria e koalicionit Vetëvendosje-LDK mund të jetë vetëm qeveri e Vetëvendosjes nëse LDK del, por nuk bën të jetë Qeveri e Vetëvendosjes dhe e LDK-së dhe të shkarkohen ministrat e LDK-së duke punuar zëvendësministrat e Vetëvendosjes. Kjo është e padrejtë dhe nuk është vullneti i qytetarëve ”, tha ai.

Njohësi i çështjeve politike, në vend Ramush Tahiri pret nga Kurti që të shkarkojë nga pozita e ministrit të Mbrojtjes edhe Anton Qunin, me qëllim që ta menaxhojë ndryshe Forcën e Sigurisë së Kosovës në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

“Pres edhe shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, në mënyrë që të menaxhohet ndryshe FSK, në mënyrë që të jetë në atë që do Albin Kurti ose që po e thotë Vetëvendosje dhe në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe të jetë zëvendësministri i Vetëvendosjes dhe jo i LDK-së. Dhe këtë e paralajmëroi Albin Kurt i në paraqitjen e mbrëmshme në Kuvend kur iu tha deputetëve të LDK-së që nuk mundemi ju të më shkarkoni dhe të vazhdojë punën sikurse të mos kishte ndodhur asgjë“, deklaroi Tahiri.

Lidhur me shkarkimin e Hotit, sot përmes një postimi në Facebook, kreu i LDK-së Isa Mustafa ka deklaruar se ministrat e partisë së tij nuk do t’i tërheqë njëanshëm dhe se ata do jenë në krye të detyrës deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Megjithatë ai theksoi se mbetet në vullnetit e Kurtit nëse dëshiron t’i mbajë apo t’i lirojë nga detyra.

Mbrëmë me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendit i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e Kurtit.

Deri te kjo erdhi pas inicimit të mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët e morën këtë nismë pas shkarkimit që Kurti i bëri ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu që vjen nga radhët e LDK-së.

Veliu u shkarkua nga posti i ministrit pas deklaratës së tij pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si masë parandaluese kundër koronavirusit, masë të cilën e kundërshtoi kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti. E këtë masë e kishte propozuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi. /Gazeta Sinjali/