Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj kryenegociatorit, Besnik Bislimi për takimin e djeshëm në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Tahiri ka thënë se në takimin e djeshëm u faktorizua pakica serbe ndërkombëtarisht dhe u bë palë me shtetin e Kosovës dhe se Qeveria Kurti ka cënuar sovranitetin dhe Kushtetutën e vendit.
“Dje pamë një mbrojtje të dinjitetshme të krerëve të UCK-së në Gjykatën speciale ashtu siç luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Nga ana tjetër, po të njejtën ditë Qeveria Kurti cënoi sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës duke biseduar me Serbinë në Bruksel për zbatimin e Asociacionit. Çështjet e brendshme të shtetit nuk bisedohen me shtet tjetër dhe as me ndërmjtësim ndërkombëtar. Kjo shkelje të sovranitetin dhe Kushtetutës së Kosovës është saksionuar në Marrëveshjen zbatuese të Ohrit ku në pikën 7 përcaktohet se zbatimi i Asociacionit dhe vetmenaxhimit autonomisë për pakicën serbe bëhen me ndërmjetësimit të BE-së.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se Serbia si shkak i takimi të Bislimit me Petkoviqin, ndërhyri në punët e brendshme të Kosovës dhe se i dha ultimatum që për 20 ditë të hartojë draft-statutin e Asociacionit.
Tahiri ka akuzuar Bislimin se ka tentuar që të mashtrojë qytetarët.
“Madje edhe me keq kjo pikë e faktorizon pakicën serbe ndërkombëtarisht e cila u bë palë me shtetin e Kosovës dje në Bruksel me ndërmjtësimin e BE-së. Si pasojë, Serbia dje jo vetëm ndërhyri në punët e brendshme të shtetit të Kosovës por i dha ultimatum Kosovës që për 20 ditë ta hartoj draftin e statutit të Asociacionit. Kryenegociatori Bislimi dje u mundua dëshprimisht të mashtroi opininionin duke iu shmangur pranimit të këtij fakti. Madje nuk guxoi ta përmend se draft statuti i Asociacionit do ti shkoj Gjykatës Kushtetuese së Kosovës të cilën e kërkon Marrëveshja e Asociacionit e vitit 2015, gjë për të cilën është zotuar Qeveria Kurti ta zbatoj me pranimin e Marrëveshjes zbatuese në Ohër më 18 mars.” – ka shkruar Tahiri në Facebook.