Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i është drejtuar me letër të hapur ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, kryesuesit të Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi, u.d. drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqit dhe anëtarëve të Komitetit për menaxhimin e situatës me COVID-19 ShSKUK, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes kësaj letre, Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij që Spitali i Vushtrrisë u shnëdrrua siç thotë ai, në një spital për trajtimin e rasteve me koronavirus nga Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Mitrovicës, pa u konsultuar me këtë komunë.
Ai thotë se si kryetar i komunës fillimisht nuk e ka kundërshtuar këtë vendim, por tani duke e parë gjendjen epidemiologjike në tërë Kosovën dhe situatën emergjente në shëndetin publik, ka paraqitur disa nga arsyet se pse vlerëson ai se ky vendim duhet të revidohet, të cilat thotë se ia ka treguar edhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqit.
- Së pari, prej ditës së parë të shpalljes së Spitalit për Covid-19, qytetarëve të Vushtrrisë është duke ju rrezikuar shëndeti, meqë nuk po mund të marrin shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor në spital.
- Kam pranuar shumë shqetësime nga qytetarët e Vushtrrisë, mjekët dhe infermierët e spitalit se stafi nuk ka mjetet mbrojtëse të nevojshme për punë. Stafi i paraparë të vije nga Spitali i Mitrovicës për 3 ditë nuk ka ardhur si mbështetje siç ka qenë e paraparë.
- Po ashtu, bazuar në informatat që kam, në Spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët, ka mbi 100 vizitorë në ditë që paraqesin rrezik të madh për përhapje të infeksionit tek qytetarët, meqë edhe ashtu Komuna e Vushtrrisë është zonë me numër të lartë të të infektuarve dhe rasteve të kontaktit.
- Punëtorët fizik që do të duhej të ndalonin prezencën e palëve nuk po kryejn punën e tyre.
- Një shqetësim tjetër është se në hapësira të përbashkëta, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor dhe që rreziku është rritur pasi Spitali është bërë për trajtim të rasteve Covid.
- Së fundmi, ka një fushatë të orkestruar kundër meje si Kryetar i Komunës, lidhur me këtë Vendim, e që nuk ka qenë i imi.
Andaj, Tahiri ka kërkuar që përgjegjësinë për trajtimin e rasteve me koronavirus ta marrë Spitali i Mitrovicës, meqë thotë se hapësirat e këtij spitali janë më të përshtatshme.
“Duke shpresuar në reflektimin dhe mirëkuptimin tuaj, mbes me shpresë se do të tërhiqni Vendimin për shndërrim të Spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid dhe me këtë do ndihmoni shëndetit të qytetarëve të Vushtrrisë dhe të filloni me bartje të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19 në Spitalin e Mitrovicës”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/