Marrëdhëniet mes Serbisë dhe vendeve të ish-Jugosllavisë, në dekadën e fundit janë mbajtur peng i interesave të autoriteteve në Serbi.
Rreth këtyre ngjarjeve dhe për shumë tjera, ka folur Boris Tadiq, ish-president i Serbisë dhe lider i SDS-së, duke komentuar tensionet rreth ndalimit të vizitës së Vuçiqit në Jasenovac.
Mes tjerash, Tadiq ka komentuar edhe deklaratat e Vuçiqit se mendon se pajtimi nuk mund të ndodhë dhe se nuk është realist, duke shtuar se “kjo tregon se i njëjti Vuçiq që ishte në pushtet në vitet 1990 është sot në pushtet”, shkruan danas.
“Unë, si president i Serbisë, nuk e kisha problem t’u bëja nderime viktimave në Jadovno apo Vukovar, në territorin e Kroacisë, as në Srebrenicë, as në ndonjë vend tjetër të vuajtjes. Por e gjithë historia ime personale politike është historia e luftës për pajtim dhe zhvillimi i kulturës politike. Ndërsa Vuçiq bëri thirrje për “njëqind myslimanë për një serb”“, citohet të ketë thënë ish-presidenti serb.
Tadiq po ashtu ka thënë se plagët duhet të shërohen, sepse ato janë ende shumë të gjalla në kujtesën kolektive dhe kujtimin e familjeve të viktimave, pavarësisht se çfarë kombi apo feje ishin.
“Historia politike e Vuçiqit është pikërisht historia e provokimit dhe kjo nuk mund të anulohet me asnjë marketing politik, as me kthesë politike deklarative“, ka thënë Tadiq.