image "Ta ruajmë e ta lartësojmë këtë miqësi, sepse nga SHBA-ja kurrë s'mund të ketë tradhëti"

Analizë

“Ta ruajmë e ta lartësojmë këtë miqësi, sepse nga SHBA-ja kurrë s’mund të ketë tradhëti”

news image

Shkruan Besnik R. Berisha

Të gjithë ata që mendojnë se delegacioni i Kosovës në Washington ka bërë më pak se ç’mund të bënin ata, e kanë mundësinë të bashkëngjiten në vizitat/negociatat e radhës që do jenë shumë dhe do ndodhin shpesh.

Aty e kanë mundësinë ta tregojnë veten dhe “magjinë” e tyre për të bërë mrekulli.

Përndryshe, derisa nuk e kanë guximin për të qenë pjesë e përfaqësimit dhe vendimarrjes, përkundër mundësisë, nuk e kanë të drejtën as të vajtojnë , as të kritikojnë, e as të shpifin e kërcënojnë.

Asnjë anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare deri më tani nuk është bërë pa ndihmën e SHBA-së dhe nuk mund të bëhet as në të ardhmen, edhe kur të hiqet moratoriumi i pranuar nga ne.

Këtë e dimë të gjithë, andaj, mos vajtoni për moratoriumin 1 vjeçar që pranuam me SHBA-në sepse kemi fituar shumë, tepër shumë nga rrugëtimi ynë i përbashkët 20 vjeçar dhe do fitojmë sërish, pa fije dyshimi.

Për më tepër, ka disa vite që s’kemi bërë asnjë progres në anëtarësime dhe kjo nuk ndodhi për shkak që s’provuam ne, as sepse kishim moratorium, por për shkak që s’kishim fuqi e as mundësi të bënim më shumë.

Të gjithë e dimë që njohja e ndërsjellë me Serbinë nuk është dhe nuk mund të jetë ngjarje, por proces i gjatë, i mundimshëm dhe sigurisht edhe i vonshëm.

Por, a duhet të ndalemi së kërkuari këtë? Jo, asnjëherë.

A mund ta arrijmë këtë vetë, pa ndihmën e SHBA-së në veçanti? Kurrë, as atëherë jo.

Asnjë njohje nuk mund të sigurohet, e as nuk mund të ruhen këto që tashmë kemi, nëse nuk e kemi përkrahjen e SHBA-së dhe bekimin e tyre në këtë proces. Madje, kam frikë se as njohja nga Shqipëria nuk do t’i rezistonte kohës dhe presionit të Serbisë pa mbështetjen dhe vendosmërinë e SHBA-së.

Pranojeni se nuk mund të fluturojmë pa krahë dhe krahët tanë janë vetëm SHBA-të;

Pranojeni se Pavarësia e Republikës së Kosovës është arritur vetëm falë mbështetjes së tyre dhe sovraniteti ynë edhe sot e kësaj dite mbrohet vetëm nga ata;

Pranojeni se Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta jonë janë hartuar e aprovuar fillimisht nga ata, e tek pastaj i kemi nënshkruar e përqafuar ne, për t’i gëzuar dhe për t’u krenuar me to ndër breza;

Pranojeni se resurset tona si Ujmani, Trepça dhe jo vetëm, mund t’i ruajmë e shfrytëzojmë vetëm me prkrahjen e tyre;

Pranojeni se të pagjeturit janë brenga jonë, por fati i tyre nuk mund të zbardhet pa presionin dhe mbështetjen e miqve tanë;

Pranojeni se kërkesa për dëmshpërblim për krimet e kryera nga Serbia dhe gjenocidin e manifestuar në Kosovë, nuk është kërkesë që e miratojmë ne, por e drejtë që na takon ne;

Pranojeni që këtë të drejtë mund ta realizojmë vetëm me ndihmën e miqve tanë, te cilët krimin e gjykojnë dhe dënojnë pa dallim, si dhe për të njëjtin urdhërojnë dëmshperblim.

Pranojeni se nuk mund të arrinim këtu, e as nuk mund të arrijmë atje ku synojmë, pa ndihmën e miqve tanë.

Kështu që, në vend që të vajtoni, punoni që Kosova të marrë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për të na mbrojtur jo vetëm nga armiqtë e jashtëm që kishim dhe akoma kemi, por edhe nga kriminelet e brendshëm që po gërryejnë buxhetin e po dëmtojnë shtetin, përditë.

Kosova dhe SHBA-ja janë një!

Ta ruajmë e ta lartësojmë këtë miqësi, sepse nga SHBA-ja kurrë s’mund të ketë tradhëti.

/GazetaSinjali/