image Szunyog flet për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi: Mund të bëhet brenda muajsh

Politikë

Szunyog flet për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi: Mund të bëhet brenda muajsh

news image

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka folur për pritshmëritë e tij rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Ndonëse thotë se ky proces i përket Beogradit dhe Prishtinës, Tomas Szunyog, deklaron se një ujdi e tillë duhet të finalizohet shpejtë thuajse.

“Do të doja të nënvizoja që ky është proces që i përket Beogradit dhe Prishtinës. Pra i takon të dyja palëve të vendosin se si të negociojnë, çfarë të negociojnë, si dhe sa shpejt të negociojnë. Ne në Bashkimin Evropian jemi thjesht lehtësues të këtij dialogu. Ne besojmë që mundemi të arrijmë relativisht shpejt në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative, që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura”, tha ai në Rubikon.

Megjithatë, ai shtoi se gjithçka varet nga të dyja palët.

“Mund të bëhet brenda ca muajsh, sigurisht jo dhjetë vjet. Por, varet nga gatishmëria, vullneti e përgatitjet e dy palëve. Por, nëse do të shohim këtë vullnet të dyja palëve, ai thotë se është çështje paksa e komplikuar. E kuptoj që është çështje mjaft e ndjeshme për të dyja palët. Nganjëherë kjo komplikohet edhe më tutje me ndërrimin e qeverive, zgjedhjet, e të tjera. Por gjithsesi, në kuadrin që kemi tani, është diçka që mund të arrihet brenda muajsh, nëse dyja palët janë vërtet të gatshme dhe të negociojnë seriozisht”, shtoi ai,

Ndërsa referuar deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, se dialogu nuk është mes prioriteteve të para të tij, shefi i BE-së në Kosovë tha se ka zhvillime në këtë aspekt.

”Pra ka një zhvillim pozitiv këtu! Seriozisht megjithatë, nuk mund të… ta themi kështu: ne besojmë që prioritetet e definuara gjatë fushatës zgjedhore, si dhe tash nga Kryeministri Kurti, janë prioritetet e duhura. ”Siç e kam thënë, çështjet e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, pandemisë COVID-19, zhvillimit social, reformës në arsim; të gjitha janë prioritete të sakta e të duhura, si dhe janë prioritete që jemi gati t’i përkrahim. Por njëkohësisht, nuk besoj që mund të fokusohemi në një prioritet, e t’i harrojmë të tjerat. Duhet që të bëhen disa gjëra njëkohësisht, për të arritur sukses. Prapë, dialogu është i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin politik të Kosovës, por edhe për çështjet tjera, sepse trajtohen me çështje krejtësisht njerëzore, si çështja e personave të pagjetur, pastaj merret me çështje ekonomike, si tregtia e përbashkët, por edhe me një numër çështjesh praktike. Pra, besoj që është në interes të ndërsjellë të të dyja palëve që të ulen bashkë dhe të negociojnë me seriozitet me synimin e arritjes së marrëveshjes”, shtoi ai. /Gazeta Sinjali/