Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi në Hagë në krye me Gregory Keohe ka bërë kërkesë në Gjykatën Speciale që t’i mundësohet shtyrja e afatit për dërgimin e parashtresave për rishikimin tjetër të paraburgimit.
Kërkesën në fjalë, mbrojtja e Thaçit e ka arsyetuar me faktin se janë duke mbledhur dokumente që do të mbështesin kërkesën e tyre për lirim në arrest shtëpiak.
Madje thonë se materiali në fjalë që synohet të mblidhet do të jetë shumë i rëndësishëm për Gjyqtarin Paraprak në marrjen e vendimit të rishqyrtimit të paraburgimit.
“Ekziston një arsye e mirë për zgjatjen e kërkuar. Në dritën e gjetjeve të Dhomës së Apelit, Mbrojtja kërkon kohë të mëtejshme për të mbledhur dokumente në mbështetje të lirimit të përkohshëm të z. Thaçi, veçanërisht në lidhje me fizibilitetin e arrestit shtëpiak. Një material i tillë do t’i ndihmonte gjyqtarit të procedurës paraprake në shqyrtimin e paraburgimit të z. Thaçi”, thuhet në parashtresën e avokatit Keohe.
E për t’u marrë parasysh kërkesa në fjalë, në bazë të ligjit, Thaçi duhet të heq dorë nga e drejta e rishikimit të paraburgimit çdo dy muaj, që është bazë fundamentale e funksionimit të Tribunalit.
Keohe në pikën e fundit të parashtresës ka konfirmuar se Thaçi e ka bërë një gjë të tillë, në atë formë që të shtyhet afati për dërgimin e parashtresave.
“Marrja parasysh e zgjatjes së kërkuar kërkon heqjen dorë nga e drejta e z. Thaçi për rishikimin e paraburgimit në baza dy mujore, në përputhje me nenin 41(10) të Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe Rregulla 57(2) e Rregullores, Mbrojtja konfirmon se, në mënyrë të jashtëzakonshme, z. Thaçi heq dorë nga e drejta për rishikimin e paraburgimit”, ka konfirmuar Keohe.
Afati fillestar i Prokurorisë për dërgimin e parashtresave për rishikimin e paraburgimit ishte 8 nëntori, teksa kërkesa e mbrojtjes është që i njëjti të shtyhet deri më 16 nëntor./GazetaSinjali/