Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë edhe deputeti i kësaj partie në Legjislaturën e VII-të të Kuvendit të Kosovës, Xhelal Sveçla, sonte tregoi në një intervistë ekskluzive për takimin e tij me i ashtuquajturi drejtor i Zyrës Serbe për Kosovë, Marko Gjuriqin.
Sveçla, mes të tjerash ka treguar se çka ka folur në atë tavolinë.
Ai ka thënë se e ka potencuar faktin që serbët e kanë mohuar masakrën e Reçakut dhe gjithë gjenocidin e bërë në Kosovë.
“U thash në fytyrë. E potencova faktin e mohimit të masakrave dhe gjenocidit në Kosovë dhe ju thashë se këto janë deklarata kriminale të tyre. Unë iu thash se jam vetë dëshmitar i masakrës së Reçakut”, është shprehur ai.
Përveç kësaj, Sveçla ka thënë që kjo nuk ka qenë herë e parë që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pjesë në një konferencë të tillë dhe po ashtu nuk do të jetë as hera e fundit.
Por, sa i përket reagimeve të shumta për takimin e tij me Gjuriqin, Sveçla ka thënë se është moment i veçantë i krijimit të Qeverisë Kurti.
“Mendoj që jemi në një moment më të veçantë, jemi para themelimit të qeverisë ku kundërshtarët politikë janë më të etur për të luftuar qeverinë e ardhshme Kurti. Kjo nuk është befasi, ne gjithmonë kemi qenë të luftuar nga ta, herë përmes medieve e herë përmes burgut”, ka theksuar Sveçla./Gazeta Sinjali/