image Sveçla: Qifti i Gjuriqit e Filipoviqit fare nuk do t’i mungojnë Policisë së Kosovës

Sveçla: Qifti i Gjuriqit e Filipoviqit fare nuk do t’i mungojnë Policisë së Kosovës

news image

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se të paktën 50% nga 578 policët e dorëhequr serbë, nuk i kanë shërbyer Kosovës, por Serbisë.

Sveçla, duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, ka thënë se një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje nën presionin e madh të Serbisë.

“T’i shohim gjërat qartë, numri i policëve që kanë dhënë dorëheqje nuk është i vogël, 578. Por në realitet numri i policëve që i kanë shërbyet rendit dhe ligjit, që i kanë shërbyer Kosovës, ka qenë shumë më i vogël. Një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje si pasojë e presionit të madh nga Serbia. Të shtrënguar dhe të shatanzhuar kanë dhënë dorëheqje. Dikund 50% e këtyre policëve nuk kanë qenë fare në shërbim të Policisë së Kosovës”, ka thënë ministri Sveçla.

Sveçla ka thënë se jo të gjithë policët serbë kanë dhënë dorëheqje.

“Ka serbë që s’kanë dhënë dorëheqje në veri”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka thënë se policët si ish-komandanti për veriun, Nenad Gjuriq nuk do t’i mungojnë Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se ata nuk i kanë shërbyer Kosovës.

“Nenad Gjuriq ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë në Serbi. Prej tij s’ka pas far ymyti. Qifti i Gjuriqit e Filipoviqit fare nuk do t’i mungojnë Policisë së Kosovës. Rojet e Urës vetëm sa i kemi uniformu dhe pagu. Ata kishin vazhduar me të njëjtat aktivitete. Ata kanë qenë policë që i kanë shërbyer Listës Serbe, Beogradit dhe Vuçiqit”, ka deklaruar Sveçla.

Sa për situatën në veri, Sveçla ka deklaruar se ka mjaftueshëm policë që po punojnë me vullnet të jashtëzakonshëm që ta mirëmbajnë situatën në pjesën veriore. 

/GazetaSinjali/