Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit, Avdullah Hoti, lidhur me mosangazhimin e Policisë dhe Inspektoratit për respektimin e masave kundër-COVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Sveçla thotë se dështimi për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve është dështim i Hotit, Zemajt e kabinetit të këtij të fundit.
“Moskokçarja e kësaj Qeverie po i kushton qytetarëve me jetë. Andaj, përgjegjësia për keqmenaxhim bie mbi Hotin dhe vetëm mbi të. Kjo Qeveri koti, që nuk ka as plan e as strategji, madje duket që nuk ka as vullnet për t’i shërbyer qytetarëve, nuk mund të fshihet prapa hedhjes së fajit e baltosjes së policisë. Avdullah Hoti përgjegjësinë duhet ta kërkojë te vetja e tij dhe ministrat e paaftë të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sipas tij, deri tani kjo qeveri nuk ka ofruar as mbështetjen më të vogël për policinë, e cila përkundër kësaj ka qenë në nivel të detyrës.
Sveçla thotë se sa ka rëndësi siguria dhe rendi për Hotin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës u bë e qartë me vendosjen e Agim Veliut në krye të MPB-së.
“Hoti, sot paska akuzuar policinë dhe inspektoratin për mosangazhimin e tyre kundrejt pandemisë. Se sa e rëndësishme është për Avdullah Hotin dhe LDK-në siguria dhe rendi, na e kanë bërë të qartë qysh në momentin kur kanë vendosur Veliun në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, ka shkruar ai./Gazeta Sinjali/