image Suspendohet polici i cili dyshohet se bashkë me djalin e tij rrahu një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik

Siguri

Suspendohet polici i cili dyshohet se bashkë me djalin e tij rrahu një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik

news image

Zyrtari policor nga Policia Kufitare, Rajoni Lindje, Rrahman Mani, është suspenduar nga Policia e Kosovës, pasi që dyshohet se bashkë me djalin e tij, e ka rrahur një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se IPK është duke zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast.

“Policia e Kosovës njofton opinionin e gjerë se ndaj të njëjtit zyrtar (Rr.M.), stacioni policor në Kaçanik me kohë ka iniciuar procedurat e parapara ligjore, si dhe sipas kompetencës ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës.”

“Vlen të potencohet se bazuar në Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me datë 01.12.2021, zyrtari policor është suspenduar, përderisa hetimet e mëtejme janë duke u zhvilluar nga IPK-ja”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga Policia e rajonit të Ferizajt i kanë thënë Sinjalit se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj rasti në fjalë ishte iniciuar si “Sulm”, por meqë në të ishte përfshirë një zyrtar policor, rasti i është dorëzuar IPK-së.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/