image Suspendohet komandanti i Njësisë për Reagim të Shpejtë në veri, dyshohet se e kërcënoi ish-gruan

Siguri

Suspendohet komandanti i Njësisë për Reagim të Shpejtë në veri, dyshohet se e kërcënoi ish-gruan

news image

Uglesha Jarediq, me rekomandim të IPK-së, është suspenduar nga pozita e komandantit të Njësisë për Reagim të Shpejtë në veri të Mitrovicës. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastin e konfirmuan edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës. Në një përgjigje për Sinjalin IPK tha që suspendimi i tij është rekomanduar nga ta.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast“, tha zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Mirëpo burimet e Sinjalit njoftojnë se Jarediq dyshohet që ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Rastin në Polici e kishte raportuar vetë viktima dje rreth orës 10:00. Ajo kishte thënë se tash e disa muaj është kërcënuar e ofenduar nga Jarediq përmes mesazheve në telefon.

Ish-gruaja e Jarediq deklaroi në Polici se ai ka kërkuar që ta shohë fëmijën e përbashkët, duke e quajtur atë me emra përçmues.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/