image Suspendimi i policit për kritika ndaj deputetëve, KMDLNj: Ka 100 për qind të drejtë, nuk e ka dëmtuar askënd

Siguri

Suspendimi i policit për kritika ndaj deputetëve, KMDLNj: Ka 100 për qind të drejtë, nuk e ka dëmtuar askënd

news image

Përmes një postimi në Facebook, pak pas mesnatës, zyrtari policor Amir Hoxha njoftoi se është suspenduar nga puna në afat prej tri ditësh. Hoxha tha se deri te suspendimi ka ardhë si pasojë e një postimi të djeshëm, ku ai shprehu pakënaqësinë për mospagesën e shujtave për policët dhe kritikoi deputetët për shpenzimet e karburanteve.

Por ky suspendim po shihet si i pavend nga ana e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Kryetari i KMDLNj-së, Behgjet Shala i tha Sinjalit se ndaj policit askush nuk duhej të merrte masa disiplinore pasi ai nuk e ka dëmtuar askënd.

Shala deklaroi se polici ka 100 për qind të drejtë dhe shqetësimet e tij janë me vend sepse ai ka kërkuar një të drejtë që i takon, pasi Policia e Kosovës është mekanizmi që më së paku përfiton.

Shqetësimet e policit janë krejtësisht me vend dhe ai ka të drejtë 100 për qind sepse ai e ka kërkuar një të drejtë që i takon. E në këtë kontekst mendoj se ndaj tij nuk duhej të merrej asnjë masë disiplinore, por duhet të merret si porosi që të veprojnë më shpejt. Fjala e lirë është e garantuar dhe ai nuk e ka dëmtuar askënd“, ka thënë ai.

Gjithashtu, kreu i KMDLNj-së, përmendi edhe që policët nuk kanë sigurim shëndetësor dhe tha që pagat nuk janë në përputhje me punën që e bëjnë.

Policia është mekanizëm shumë i rëndësishëm i shtetit, ndoshta mekanizmi që më së paku përfiton. Sigurim shëndetësor nuk kanë, pagat nuk i kanë në përputhje me punën që e bëjnë e as me rrezikun që i nënshtrohen. Policia duhet t’i ketë kushtet më të mira për punë sepse është një segment i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe është shtylla kryesore e shtetit. “, ka thënë Shala për Sinjalin.

/GazetaSinjali/