Gjykata Supreme, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi Shqipdon Fazliu kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e emërimit t1% kryeprokurorit, raporton Gazeta Sinjali.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme Antigona Uka-Lutfiu tha për Sinjalin se GJSK-ja ka vendosur për rastin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit Shqipdon Fazliut, për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, është refuzuar si e pabazuar.
Gazeta Sinjali, ka raportuar sot se kanë kaluar mbi tetë muaj kur Prokuroria e Shtetit po udhëhiqet me ushtrues të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit. E Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i Shtetit nga Këshilli Prokurorial me 6 prill të këtij viti, por dosja e tij tash mbi tetë muaj po pret dekretimin nga ana e Presidentes Osmani.
Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës të siguruar nga Sinjali, thuhet se në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësit, Shqipdon Fazliut, nga Gjilani, kundër të paditurit, Këshilli Prokurorial i Kosovës për anulim të vendimeve të paditurit dhe kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të njëjtëve, duke vendosur sipas kërkesës së paditësit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë.
Në aktgjykim thuhet se në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 23 dhjetor 2022, GJSK-ja ka marr aktgjykim ku ka refuzuar si të pa bazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e parashtruar nga paditësi Shqipdon Fazliu kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit-Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë, AA. Nr.650/2022 të datës 01.09.2022.
Me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, AA. Nr.650/2022 të datës 01.09.2022, refuzohet si e pa bazuar ankesa e paditësit Sh.F., ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, A nr. 1875/2022 i datës 02.08.2022, vërtetohet.
Kundër aktvendimit të lartë cekur të Gjykatës së Apelit, i autorizuari i paditësit avokat Flakron Sylejmani në afat ligjor në Gjykatë Supreme parashtron kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, me të cilën e konteston ligjshmërinë e të njëjtit për shkak të shkeljes të drejtës materiale dhe për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës.
Ishte bërë propozim, të aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit AA nr.652/22 të datës 01.09.2022, të anulohen aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë A nr. 1875/22 i dt. 02.08.2022 dhe aktvendimi i shkallës së dytë si më lartë, dhe kjo çështje juridike ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje, thuet në aktgjykimin e GJSK-së.