Një zyrtar policor sot është sulmuar nga një i dyshuar afër marketit “Super Viva” në Rahovec. E gjitha ngjarja ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të masave nga gruaja e të dyshuarit, e cila gjendej brenda marketit, shkruan Gazeta Sinjali.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar Policia e Kosovës dhe kanë dhënë detaje se si ndodhi ngjarja.
Sot rreth orës 15:00, derisa zyrtarët policorë ishin duke monitoruar zbatimin e masave kundër koronavirusit në marketin “Super Viva” në Rahovec, kanë hasur se një grua nuk kishte maskë mbrojtëse.
Në momentin që policët afrohen te e dyshuara dhe e njoftojnë se do t’i shqiptohet gjobë për mosmbajtje të maskës, është afruar burri i saj, i cili e ka sulmuar një zyrtar policor.
Derisa polici ishte duke dalë nga vetura, i dyshuari ka përplasur derën e veturës, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore në kraharor. Pas sulmit, polici ka marrë trajtim mjekësor.
Por, nuk ka mbaruar me kaq, edhe e dyshuara tjetër, e kishte shtyrë një zyrtare policore që gjendej në vendin e ngjarjes.
Dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia dhe pas intervistimit burri është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara, gruaja e tij është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti në Polici është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.