Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një nxënës ka sulmuar një tjetër me thikë, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku pas një mosmarrëveshjeje një nxënës 17-vjeçar ka goditur me thikë në kokë shokun e klasës.
Për pasojë, viktima 15-vjeçar ka pësuar lëndime trupore, për çka u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare për të marrë trajtim mjekësor.
Në anën tjetër, burimet thonë se se i dyshuari që u përfshi në rast është identifikuar nga Policia dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për motivin e sulmit.
Me rastin e kontrollit policor, nga nxënësi është konfiskuar thika që dyshohet ta ketë përdorur.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i mituri është ndaluar për 24 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.