image Grushtohet polici brenda stacionit policor në Prizren - Sinjali

Grushtohet polici brenda stacionit policor në Prizren

news image

Një zyrtar policor ka qenë cak i një sulmi fizik sot brenda stacionit të Policisë së Kosovës në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Një sinjalizues i Sinjalit tha për Sinjalin se polici dyshohet se është sulmuar nga një person me inicialet R.Sh.

Sipas sinjalizuesit, i dyshuari u dërgua në stacion policor për t’u intervistuar, pasi kishte shkaktuar aksident trafiku, derisa ishte në gjendje të dehur.

Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Drejtoria e Policisë në Prizren.

“Derisa gjendej në Stacion të Policisë në Prizren lidhur me rastin ‘Aksident trafiku’, i dyshuari R.Sh., i cili ishte nën ndikim të alkoolit, në një moment kanos verbalisht, e pastaj edhe e sulmon fizikisht zyrtarin policor”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Me këtë rast, i dyshuari ishte vënë nën kontroll nga zyrtari tjetër policor që kishte qenë prezent. Mirëpo, nga policia thanë për Sinjalin se ai ka vazhduar me kanosje verbale dhe nuk ka qenë fare bashkëpunues për dhënien e informatave për inicimin e rastit.

Për shkak të goditjeve nga i dyshuari, zyrtari policor ka pësuar lëndim të lehtë trupor, për çka ka pranuar tretman mjekësor.

“Lidhur me rastin është njoftuar hetuesi kompetent, i cili ka kontaktuar Prokurorin e Shtetit, me udhëzimin e te cilit iniciohet rasti ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ndërsa i dyshuari ndalohet për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e policisë për Sinjalin./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin