Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, tha se janë prekur nga sulmi ndaj bashkëshortes së tij, profesoreshës Hatixhe Latifi – Pupovci, në vendin e punës.
Pupovci tha se këtë çështje ia kanë lënë drejtësisë.
“Bashkëshortja ime ka 35 vjet përvojë pune në arsimin e lartë, dhe me të vërtetë na ka prekur shumë ngjarja që ka ndodhur. Por sido që të jetë, të dy konsiderojmë se kjo tani është çështje e organeve të drejtësisë, të cilat duhet ta peshojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Pupovci u shpreh se në përgjithësi duhet të largohet mentaliteti se duhet të ushtrohet presion mbi mësimdhënësit për notë.
Zëvendësministri i Arsimit nuk deshi të komentojë se nëse është adekuate masa prej një muaj paraburgim ndaj prindit që sulmoi bashkëshorten e tij në vendin e punës.
“Nuk kisha pasur dëshirë më komentua masat e Gjykatave”, tha Pupovci në RTV21.
Ndryshe, Hatixhe Latifi – Pupovci është profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë.