Një sulm ndaj disa makinave në qytetin Limburg të Gjermanisë po hetohet si akt terrorizmi, njoftojnë mediat gjermane, duke u thirrur në burimet e sigurisë.
Të hënën, një person rrëmbeu një kamion, me të cilin goditi tetë automjete që prisnin në semafor.
Tetë persona u plagosën, shtatë prej të cilëve u trajtuan në spital.
Një i dyshuar 32 vjeç u arrestua.
Sipas mediave lokale, ai është me origjinë nga Siria dhe jeton në Gjermani nga viti 2015.
Transmetuesi publik ZDF tha se hetuesit po e trajtojnë incidentin si akt me “prapavijë terroriste”.
Megjithatë, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha të martën se nuk mund ta thotë ende se si klasifikohet incidenti.
Policia bastisi sot një aparatment në Langen, në jug të Frankfurtit, dhe tha se ai ka lidhje me atë që ka ndodhur në Limburg.
Gjermania është në gjendje të gatishmërisë së lartë pas disa sulmeve të xhihadistëve që e kanë goditur viteve të fundit.
Më vdekjeprurësi ka ndodhur në dhjetor të vitit 2016, kur një burrë ka goditur këmbësorët me kamion në një treg të Krishtlindjeve në Berlin.
Dymbëdhjetë vetë janë vrarë në këtë sulm.