Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas megaoperacionit të zhvilluar nga Policia e Shqipërisë, i cili filloi që nga mbrëmë e zgjati deri në orët e para të mëngjesit, me ç’rast u arrestuan 233 shpërndarësve të drogës.
Rama tha se droga kishte në shënjestër nxënësit e shkollave, teksa njoftoi se janë shkatërruar 23 rrjete kriminale, të cilat i posedonin 233 të lartë cekurit.
“Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:
“SUPEROPERACIONI i POLICISË SË SHTETIT u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave.
Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.
Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet.