Gjykata e Qarkut e Stokholmit në Suedi e ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadrin, për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo gjykatë e ka obliguar 37-vjeçarin që t’u paguajë dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij, të cilët i la pa prindër.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare.
“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të tij, duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për t’ju marrë atyre pasurinë.
“Dëshmitë kundër burrit 37-vjeçar kanë përfshirë, mes tjerash, materialin e gjerë nga telefoni i tij mobil dhe nga kompjuteri i tij. Nga dëshmitë ka dalë se 37-vjeçari ishte munduar të merrte silurë me qira para se vetë t’i kryente aktet. Ai ra në kontakt me armën e vrasjes duke e thyer kasafortën e prindërve të tij në shtëpi. Është zbuluar gjithashtu se 37-vjeçari mendonte se përmes vrasjes së prindërve do ta merrte kontrollin e aseteve familjare”, thuhet tutje në njoftim./Gazeta Sinjali/