image "Subvencioni 2021"/Çfarë pozita mbanin në Ministrinë e Bujqësisë zyrtarët e arrestuar

Siguri

“Subvencioni 2021″/Çfarë pozita mbanin në Ministrinë e Bujqësisë zyrtarët e arrestuar

news image

Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dje ka zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe zyrave të kësaj agjencie në disa rajone të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Ky aksion i cili u zhvillua në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog, rezultoi me arrestimin e 21 personave, 14 prej të cilëve mbanin pozita zyrtare.

Ata po dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim me subvencione”

Gazeta Sinjali mëson se cilat pozitat mbanin zyrtarët e arrestuar gjatë këtij aksioni.

1. Valon Hoti, i lindur më 1979, mbante pozitën e inspektorit të tregut, Drejtoria për Punë Inspektuese në Podujevë.

2. Blerim Mulliqi, i lindur më 1985, ishte inspektor i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në regjionin e Pejës.

3. Bejtullah Pira, i lindur në vitin 1965, Viti, ishte koordinator i të hyrave, DSHAQ/MBPZHR.

4. Enver Ibishi, i lindur më 1971, Ferizaj – Inspektor në regjionin e Ferizajt, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

5. Kujtim Zariqi, i lindur më 1976 në Prishtinë – Inspektor i AZHB-së.

6. Habibe Dauti, e lindur më 1970 në Gjilan – Zyrtare në Njësinë e Teknologjisë Informative, DZHR&SHK/MBPZHR

7. Musa Nikovazi, i lindur më 1957 në Gjakovë – Inspektor i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në regjionin e Pejës.

8. Lulzim Hajdaraj, i lindur më 1981 në Pejë – Recepsionist në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal.

9. Sali Kelmendi, i lindur më 1982 në Pejë – Inspektor i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në regjionin e Pejës.

10. Granit Abdyli i lindur më 1985 në Viti – Zyrtar për Pylltari, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Sipas prokurorisë, të arrestuarit e deritanishëm dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 1 milion euro dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket vlerës së dëmit, tani për tani nuk mund të deklarohemi, por vlera e dëmit i kalon mbi 1 milion euro, mirëpo saktësisht do ta përcaktojmë pas përfundimit të aksionit”, tha prokurori i rastit, Rafet Halimi, në një konferencë për media.

Prokuroria po ashtu ka njoftuar se brenda 24 orëve do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 21 të arrestuarve.

Ky aksion ishte vazhdimësi e aksionit të shkurtit në këtë ministri, të njohur me emrin “Subvencioni 2021”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/