image Suada flet si trajnere: Objektivat tona dihen, besimin do e shpërblej me rezultate

Futboll

Suada flet si trajnere: Objektivat tona dihen, besimin do e shpërblej me rezultate

news image

Suada Jashari do vazhdojë të merret me futbollin, por kësaj radhe si trajnere e kampiones në fuqi të Kosovës, shkruan Sinjali Sport.

Ish-futbollistja e KFF Mitrovicës, gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht është emëruar në postin e trajneres të kësaj skuadre.

Në një prononcim për Sinjali Sport, Jashari ka folur rreth asaj se si erdhi deri te emërimi i saj në krye të skuadrës mitrovicase, duke pasur parasysh se kjo është një gjë e pazakontë në futbollin tonë.

“Përderisa ekzistojnë femrat, futbolli i femrave dhe liga e organizuar e Kosovës tash e sa vite, normalisht që dikur do vinte edhe një emërim i tillë sepse ne kontribuojmë që shumë vite në futbollin e Kosovës dhe më gjerë. Meshkujt e dominojnë futbollin e tyre, kurse femrat e dominojnë futbollin e femrave, ashtu siç ndodhë edhe në çdo sport tjetër. Emërimi im erdhi pas propozimit të kryetarit të klubit dhe pas konsultimeve me gjithë stafin drejtues. Jam ndër vajzat që kanë ndoshta eksperiencën më të madhe në futbollin e femrave dhe më është besuar kjo detyrë, të cilën besoj që do t’ua shpërblej me rezultate”– u shpreh fillimisht ish-reprezentuesja e Shqipërisë.

Image may contain: 2 people, people sitting and indoor

Tutje, 32 vjeçarja foli edhe për objektivat e klubit. Ashtu si zakonisht, KFF Mitrovica edhe kësaj radhe synon trofetë.

“Pritshmëritë e ekipit tonë dihen që janë të larta. Ne çdo herë synojmë ta fitojmë titullin dhe Kupën e Kosovës. Ne gjithashtu synojmë të bëjmë punë sa më të mirë e profesionale dhe të paraqitemi sa më mirë në garat evropiane” – ka deklaruar Jashari.

Ndryshe, KFF Mitrovica është në kërkim të fitimit të titullit të katërt dhe kupës së katërt rresht. /Sinjali Sport/.