image Stuhia shkatërron një kamp të migrantëve në Bosnje e Hercegovinë

Botë

Botë/ Stuhia shkatërron një kamp të migrantëve në Bosnje e Hercegovinë

news image

Një stuhi në Bosnje e Hercegovinë ka përfshirë një kamp të improvizuar në Vucjak ku po qëndronin migrantët që kanë synim vendet e Bashkimit Evropian.


Shumë migrant brenda kampit afër kufirit me Kroacinë kanë kërkuar ndihmë dhe strehim pas reshjeve të shiut dhe stuhisë së madhe.

“Të lutem më ndihmo. Unë jam njeri, jo kafshë, më ofro strehim”, kishte thënë Kamran Han, migrant nga Pakistani për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Kasif Pervez, po ashtu nga Pakistani, tha se nuk ka pasur asnjë ndihmë nga autoritetet apo organizatat që ofrojnë ndihmë.

Kampi u mbush me ujë dhe mbeturina derisa migrantët po tentojnë të rregullojnë tendat dhe përmes zjarrit të ndezur po tentojnë të ngrohen.

Një ditë më parë, Mjekët pa Kufij thanë se kampi i improvizuar nuk i plotëson as nevojat bazike të jetesës, duke theksuar se është një “vend i rrezikshëm dhe jonjerëzor”.

Ky kamp i ndërtuar në qershor, ofron strehim për rreth 2,000 persona. Në kamp nuk ka as energji elektrike as ujë. Bashkimi Evropian i kishte ofruar Bosnje e Hercegovinës më shumë se 36 milionë euro ndihmë për migrantët, por kushtet në kampin Vucjak janë aq të këqija saqë “asnjë ndihmë e Bashkimit Evropian nuk do të ofrohet për të”, kishte thënë Komisioneri për Migrim i BE-së, Dimitris Avramopoulous.

Rreth 50,000 migrantë kanë kaluar nëpër Bosnje e Hercegovinë vitin e kaluar, derisa qeveria e vendit është përballur me vështirësi për të menaxhuar fluksin e tyre. /Gazeta Sinjali/