image Stuhia në SHBA u mori jetën 11 personave

Botë

Botë/ Stuhia në SHBA u mori jetën 11 personave

news image

Stuhitë e fuqishme që e kanë përfshirë pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara janë cilësuar shkaktare për vdekjen e së paku 11 personave, përfshirë dy pjesëtarë të ekipeve emergjente. Ky rajon është përfshirë nga reshjet e mëdha të shiut, tornadot dhe erërat me shpejtësi të madhe.

Viktimat e motit të lig u regjistruan në Teksas, Alabama dhe Louisiana. Shërbimi Kombëtar i Motit i raportoi tri vdekje të lidhura me motin e lig në Alabama, ndërsa zyrtarët e Teksasit thanë se dy pjesëtarë të ekipeve emergjente vdiqën në dy aksidente fatale në trafik për shkak të akullit në rrugë.

Autoritetet i kanë filluar kërkimet për viktima të tjera të mundshme, sepse shkuarja në disa zona është bërë e vështirë për shkak të rrugëve të rrëshqitshme.

Në Misssouri, Oklahoma dhe Arkansas janë dëmtuar ose shkatërruar shumë shtëpi, por nuk është raportuar për persona të lënduar. Përpos dëmeve në shtëpi, pati edhe pemë të rrëzuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Alabama, pa rrymë kanë mbetur më shumë se 85 mijë banorë, në Louisiana 36 mijë, ndërsa në Mississippi më shumë se 61 mijë persona nuk patën rrymë.

Alarmi për vërshime është aktivizuar në Arkansas, Tennessee, Mississippi, Missouri ,Illinois dhe Indiana, shkruan “The Guardian”./Gazeta Sinjali/