image Studimet e reja: Tregu i kafshëve ishte origjinë e COVID-19

Botë

Studimet e reja: Tregu i kafshëve ishte origjinë e COVID-19

news image

Një treg i kafshëve në qytetin Vuhan të Kinës, ka qenë epiqendra e pandemisë së koronavirusit, sipas dy studimeve të reja që janë publikuar në revistën shkencore, Science.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse sëmundja është bartur në mënyrë natyrale nga kafshët në njerëz, apo ka qenë rezultat i një aksidenti në laborator, ky konstatim i ri konsiderohet shumë i rëndësishëm për shmangie të pandemisë së radhës dhe ruajtjes së miliona jetëve.

Në hulumtimin e parë është analizuar përhapja gjeografike e rasteve në dhjetor të vitit 2019, duke treguar se të infektuarit e parë janë të lidhur me tregun e kafshëve në Vuhan.

Në hulumtimin e dytë janë analizuar të dhënat e evoluimit të virusit, duke ardhur në përfundim se koronavirusi nuk ka qarkulluar në masë të madhe mes njerëzve para nëntorit të vitit 2019.

Michael Worobey nga Universiteti i Arizonas, i cili ka ndihmuar në hartimin e të dyja raporteve, i ka thënë më parë një komuniteti shkencor që të jetë më i hapur ndaj idesë që koronavirusi ka dalë nga laboratori.

Mirëpo gjetjet e fundit e kanë shtyrë atë që besojë se “nuk është e mundshme që virusi ka qarkulluar në mënyrë tjetër përveç tregtisë së kafshëve në tregun në Vuhan”, ka thënë ai për gazetarët.

Ndonëse edhe hulumtimet e kaluara kanë përkrahur më shumë teorinë e tregut të kafshëve, shkencëtarët kanë qenë në kërkim të të dhënave tjera për të vërtetuar origjinën.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës, shkruan REL.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Deri më tani janë regjistruar mbi 6 milionë njerëz të vdekur me këtë virus.

/GazetaSinjali/