image Nxënësja nga Suhareka dyshohet se e ngacmoi profesorin dhe i kërkoi lidhje dashurie, gjykata merr një vendim

Drejtësi

Nxënësja nga Suhareka dyshohet se e ngacmoi profesorin dhe i kërkoi lidhje dashurie, gjykata merr një vendim

news image

Gjykata ka vendosur t’i caktojë mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, të akuzuarës, A.A., se ka ngacmuar profesorin e saj, B.B., duke i shkuar edhe në shtëpi e duke i kërkuar lidhje dashurie.

Këtë aktvendim gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega Suharekë, Lavdim Bajraktari, e ka marrë pas propozimit të prokurorit Fatos Ajvazi, i cili ka thënë se është në interes të drejtësisë t’i caktohet mbrojtësi të akuzuarës marrë parasysh gjendjen e saj emocionale, ekonomike dhe intelektuale.

Gjyqtari Bajraktari seancën e sotme e ka ndërprerë dhe të radhës e ka caktuar më 14 tetor 2021 në ora 9:00.

Në këtë seancë kanë qenë prezent e pandehura A.A, prokurori Fatos Ajvazi, i dëmtuari B.B. dhe mbrojtësi i tij avokati Ruzhdi Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e pandehura A.A., nga dhjetori i vitit 2018 e në vazhdimësi deri më 5 gusht 2020, në vende të ndryshme ka ngacmuar ish-profesorin e saj.

Madje, në aktakuzë, thuhet se e pandehura i ka shkuar edhe në shtëpi të dëmtuarit, duke i kërkuar lidhje dashurie.

Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura e ka ndaluar edhe në rrugë të dëmtuarin, duke tentuar ta përqafojë përkundër kundërshtimit të të dëmtuarit.

Me këto veprime e pandehura A.A, të dëmtuarit B.B, i shkakton shqetësim të madh emocional. Andaj, me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 1 i Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./Gazeta Sinjali/