image Strategjia me të cilën Zelanda e Re po e mund koronavirusin

Botë

Pandemia/ Strategjia me të cilën Zelanda e Re po e mund koronavirusin

news image

Kur kryeministrja Jacinda Ardern, një nga liderët botërore më të admiruara për betejat e saj sociale dhe për qasjen humane në marrëdhëniet me popullin, deklaroi më 23 mars se vendi që drejton do të hynte brenda 48 orëve në një karantinë të nivelit 4, për shkak të koronavirusit, neozelandezët menduan se po përjetonin një skenë filmi.

Niveli 4 parashikonte mbylljen totale të çdo shkolle, dyqani, restoranti, dhe aktiviteti në ambiente të jashtme. Një nga masat më të rrepta në botë, për një vend që në atë moment kishte të deklaruar vetëm 102 raste dhe asnjë të vdekur. Për një popullatë që kurrë nuk ka përjetuar epidemi të rrezikshme, ky ishte një lajm vërtet shokues. Por disa javë më pas, rezultatet po shihen qartë.

Kryeqyteti Wellington, i boshatisur nga masat ndaj koronavirusit

Pas një rritje të shpejtë, që i referohej natyrisht periudhës së mëparshme të karantinës, shifrat në ishull kanë mbetur nën kontroll, me 1330 raste dhe 4 viktima në total. Prej ditësh, nuk raportohen më raste të rënda, dhe asnjë të vdekur.

Kryeministrja neozelandeze dhe kabineti i saj kanë zgjedhur faktikisht “strategjinë e eliminimit”, që nënkupton pikërisht një izolim total dhe testime masive të popullsisë, në mënyrë për të lokalizuar të gjithë infektuarit dhe të afërmit e tyre.

Kjo strategji, që në ditët e para shtoi së tepërmi numrin e të infektuarve në statistika, sot po jep rezultate shpresëdhënëse. Për të marrë këtë vendim, patjetër që qeveria ka patur besimin e plotë që strukturat shëndetësore do të mbanin rritjen e kurbës të së sëmurëve.

Strategjia e eliminimit parashikon në fakt një ngritje të shpejtë të kurbës së epidemisë, por edhe një rënie të shpejtë në rast suksesi, me objektiv eliminimin total të virusit në territorin e përcaktuar, ndryshe nga strategjia e “frenimit” të virusit, ku kurba nuk arrin pikun më të lartë, por zgjat më shumë në kohë.

Një gjë do të bashkojë gjithsesi Zelandën e re me vende të tjera “perëndimore”. Pasojat ekonomike të bllokimit total parashikohen të rënda afat-shkurtra. Që do të godasin veçanërisht popullsitë autoktone maori, që mbahen më së shumti me resurse turizmi dhe tregtisë së vogël. /Gazeta Sinjali/