Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonëSinjali Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

Botë

Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

news image

Rusia ka pësuar një “disfatë strategjike” të madhe në luftën në Ukrainë, tha të premten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke folur për mediat gjermane, Stoltenberg u shpreh se presidenti rus Vladimir Putin dështoi të arrijë qëllimin e tij për të parandaluar afrimin e Ukrainës me Evropën.

“Putini dëshiron një Evropë në të cilën Rusia mund të dominojë fqinjët e saj. Por Ukraina tani është më afër se kurrë më parë me NATO-n dhe BE-në. Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë”, tha ai për agjencinë gjermane të lajmeve dpa.

“Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë. Përveç kësaj, Rusia ka humbur qindra avionë, mijëra tanke dhe 300,000 ushtarë janë vrarë ose plagosur”, tha ai.

Stoltenberg pranoi se kundërofensiva e ushtrisë ukrainase nuk ka arritur të japë rezultatet e pritshme, por nënvizoi se vendet perëndimore do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

“Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, shumica e ekspertëve kishin frikë se rusët do të merrnin kontrollin e Kievit brenda disa ditësh – duke përfshirë ekspertët këtu në NATO. Që atëherë, ukrainasit arritën të çlirojnë 50% të territorit që ishte i pushtuar”, tha ai.

“Ukrainasit kanë fituar beteja të mëdha në Kiev, Kharkiv dhe Kherson – këto janë fitore të jashtëzakonshme ushtarake. Ukraina e ka pohuar veten si një shtet sovran, i pavarur dhe i ka shkaktuar humbje të rënda Rusisë në këtë proces”, përfundoi Stoltenberg./A2CNN

/GazetaSinjali/