image Stoltenberg kundërshton komentet e zyrtarit të tij: Vetëm ukrainasit mund të vendosin kushtet për negociata

Botë

Stoltenberg kundërshton komentet e zyrtarit të tij: Vetëm ukrainasit mund të vendosin kushtet për negociata

news image

I takon Ukrainës të vendosë se kur janë kushtet e duhura për t’iu bashkuar negociatave pas pushtimit rus, tha të enjten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar qëndrimin e pandryshuar të aleancës pas komenteve të kësaj jave nga një koleg i lartë, raporton Reuters.

“Janë ukrainasit, dhe vetëm ukrainasit, ata që mund të vendosin kur ka kushte për negociata dhe që mund të vendosin në tryezën e bisedimeve se cila është një zgjidhje e pranueshme”, tha Stoltenberg.

Duke folur në një konferencë në qytetin norvegjez të Arendalit, ai shtoi se roli i NATO-s ishte të mbështeste Ukrainën.

Deklarata pasoi komentet e shefit të shtabit të Stoltenberg në NATO, Stian Jenssen, i cili të martën tha se Ukraina në fund mund t’i dorëzojë territorin Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Më pas, Jenssen tha se ishte penduar për komentet e tij.

“Mesazhi i tij (Jenssen), dhe që është mesazhi im kryesor, dhe që është mesazhi kryesor i NATO-s, është, së pari, se politika e NATO-s është e pandryshuar – ne mbështesim Ukrainën”, tha Stoltenberg.

NATO në samitin e saj muajin e kaluar tha se do t’i japë një ftesë Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën ushtarake kur “anëtarët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet” dhe se vendi ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij, pavarësisht nga Rusia.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se ndërsa rezultati i samitit të NATO-s në korrik ishte i mirë, do të kishte qenë ideale nëse Kievi do të kishte marrë një ftesë të drejtpërdrejtë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore.

/GazetaSinjali/