Vendet perëndimore duhet të jenë të përgatitura për të ofruar mbështetje afatgjate për Ukrainën, pasi Rusia nuk tregon shenja të heqjes dorë, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Jens Stoltenberg i tha BBC-së se mbështetja ushtarake do të siguronte mbijetesën e Ukrainës si një vend sovran dhe do ta detyronte Rusinë të ulet dhe të negociojë për t’i dhënë fund luftës.
Udhëheqësi rus, Vladimir Putin akuzon Perëndimin se po përdor Ukrainën për të shkatërruar vendin e tij.
Raketat dhe dronët rusë kanë goditur Ukrainën në natën dhe ditën e Vitit të Ri.
Programi i mobilizimit të pjesshëm të Rusisë, i urdhëruar në shtator, tregoi se Moska nuk kishte dëshirë për t’i dhënë fund luftës aktualisht, tha Stoltenberg për programin e Radio 4 World at One.
“Forcat ukrainase patën vrullin për disa muaj, por ne gjithashtu e dimë se Rusia ka mobilizuar shumë më tepër forca, shumë prej tyre tani janë duke u trajnuar”, tha ai.
“E gjithë kjo tregon se ata janë të përgatitur për të vazhduar luftën dhe gjithashtu përpiqen të fillojnë një ofensivë të re.”
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim për Vitin e Ri, në të cilin ai u përpoq të mblidhte njerëzit pas trupave të tij që luftonin në Ukrainë, duke thënë se e ardhmja e vendit ishte në rrezik.
Homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se fshihej pas trupave të tij në vend që t’i drejtonte ato.
Dymbëdhjetë nga 20 raketat ruse u rrëzuan të shtunën, tha kreu i forcave të armatosura të Ukrainës. 45 dronë të tjerë kamikaze të prodhuar nga Irani u rrëzuan rreth Kievit vetëm disa orë pas Vitit të Ri të dielën, tha Forcat Ajrore të Ukrainës.