Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme për të ecur përpara, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë sepse kjo është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje afatgjate të konfliktit në rajon”, tha shefi i NATO-s, në një konferencë për media përmes një video lidhjeje, të organizuar nga selia e NATO-s në Bruksel.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “për përmbajtje kur bëhet fjalë për tensionet që shohim në Kosovë” dhe theksoi se NATO gjithashtu ka rolin e vet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm nuk u përgjigj drejtpërdrejt në pyetjen nëse NATO-ja ka informacione ose tregues të një tërheqjeje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Por, ai deklaroi se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, i cili ka një mandat të qartë nga Kombeve të Bashkuara për të mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“NATO-ja mbetet plotësisht funksionale edhe në rrethanat e krijuara nga përhapja e koronavirusit, siç është edhe rasti me misionin e KFOR-it”, tha Stoltenberg.
Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 pati vendosur taksë 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hervegovina. Që atëherë dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë, pasi Serbia po refuzon që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa. /Gazeta Sinjali/