image Stoltenberg: Bota është bërë më e rrezikshme, por NATO është bërë më e fortë

Siguri

Stoltenberg: Bota është bërë më e rrezikshme, por NATO është bërë më e fortë

news image

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se bota është bërë më e rrezikshme por aleanca është bërë më e fortë.

Stoltenberg kështu ka deklaruar në Konferencën e Sigurisë që po mbahet në Munih të Gjermanisë.

“Bota është bërë më e rrezikshme, por NATO është bërë më e fortë. Në Konferencën e Sigurisë në Munih, theksova se Evropa dhe Amerika e Veriut duhet të vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm në NATO”, deklaroi Stoltenberg.

“Është gjithashtu jetike dhe urgjente që ne të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën. Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e Navalnyt”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se NATO është ushtarakisht më e fortë se Rusia dhe se Aleanca e Atlantikut të Veriut është forcuar edhe më shumë.

“NATO është fuqia ushtarake më e fortë në botë sot. Ne përfaqësojmë, përafërsisht, rreth 50 për qind të fuqisë totale ushtarake në botë. Dhe ne jemi ushtarakisht më të fortë se Rusia. Në të njëjtën kohë, mendoj se lufta në Ukrainë ka treguar se ka disa mangësi serioze. Për shembull, kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen, është një gjë që të gjithë kanë sisteme të avancuara të armëve, por nevojiten edhe pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje. Për ta thënë më qartë, municioni është i nevojshëm”, tha Stoltenberg.

Në Munih janë mbledhur liderët kryesorë ku temë diskutimi është bërë lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme. 

/GazetaSinjali/